KUPTUESHMËRIA E GJUHËS SË TRUPIT PËRMES SJELLJEVE TONA
07.06.2025
Sjelljet tona janë të komanduara nga niveli i vetëdijes, mendimet, bindjet, besimet dhe pikëpamjet që mbajmë brenda vetes. Për ta lexuar dhe kuptuar në mënyrë të drejtë dhe të thellë gjuhën e trupit përmes sjelljeve tona, fillimisht duhet të kuptojmë natyrën e energjisë — negative apo pozitive — që i ushqen ose i stimulon ato. Vetëm atëherë, kur e kemi të qartë burimin energjetik të sjelljeve tona, mund t’i interpretojmë saktësisht mesazhet që ato përcjellin.
Në rastet kur energjia negative dominon sjelljet tona, kjo manifestohet hapur në trup: në të rrahurat e shpeshta të zemrës, në trokitjet e forta të barkushes, në rritjen e tensionit të gjakut dhe në qarkullimin e tij të përshpejtuar nëpër enët e gjakut. E dallojmë gjithashtu në skuqjen e fytyrës, në shprehjet e tensionuara të mimikës, në dridhjen apo ngurtësimin e trupit, dhe në shumë reagime të tjera. Kjo gjuhë trupore bëhet e dukshme, ndonjëherë edhe agresive, duke ndikuar negativisht si në shëndetin tonë fizik, psikik, emocional e intelektual, ashtu edhe në marrëdhëniet me të tjerët.
Kur kuptojmë se çfarë ndikimi kanë në trupin dhe shëndetin tonë — fizik, psikik, emocional, intelektual, moral, social, human dhe kombëtar — sjelljet e udhëhequra nga energjia negative, atëherë bëhemi më të vetëdijshëm për nevojën që ta minimizojmë ndikimin e saj. Ne përpiqemi që në vetëdijen, mendimet, bindjet, besimet dhe pikëpamjet tona të favorizojmë energjinë pozitive, e cila e transformon rrënjësisht gjuhën e trupit dhe të sjelljeve tona në funksion të përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme.
Ndryshimi pozitiv në trup vërehet lehtë përmes shenjave të qarta: ritmi i zemrës stabilizohet, qarkullimi i gjakut bëhet i rregullt, mimika e fytyrës qetësohet dhe natyralizohet, djersitjet e tepërta zhduken, buzëqeshjet bëhen të ndritshme, ecja harmonizohet, ndërsa durimi, respekti dhe mirëkuptimi rriten. Po ashtu, shtohen dëshira, vullneti dhe dashuria; emocionet dhe motivimi stabilizohen; vetëdija, mendimet, bindjet, besimet dhe pikëpamjet bëhen më objektive, duke kontribuar si për shëndetin tonë, ashtu edhe për përmirësimin e marrëdhënieve me të tjerët.
Është në favorin tonë të mësojmë sa më shumë dhe në mënyrë të sistematizuar për dëmet dhe dobitë që sjell gjuha e trupit përmes sjelljeve tona, në mënyrë që të kemi mundësi më të madhe për t’i korrigjuar e zhvilluar ato për të mirën tonë gjatë gjithë jetës.
I juaji,
Mësuesi Isë
Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!