Sëmundjet e ndryshme ndikojnë shumë tek ne, në mosarritjen e sukseseve

15.07.2025

Oskar Shelbah e ka cilësuar shëndetin si bazën më të fortë dhe themelore të arritjeve të suksesshme gjatë jetës. Ai rekomandon që t’i drejtohemi mjekut më të mirë, pa u hamendur gjatë, në mënyrë që të na ndihmojë sa më shpejt në parandalimin e sëmundjeve tona të ndryshme – sidomos atyre të brendshme.

Nuk duhet të qëndrojmë duarkryq dhe neglizhentë përballë sëmundjeve që rrezikojnë shëndetin – bazën themelore që mundëson arritjen e sukseseve tona.

Për çudi, shumica prej nesh e presim momentin e fundit, përkeqësimin e sëmundjeve që na kanosen edhe me vdekje! Kjo sjellje shkurtpamëse duhet eliminuar sa më parë nga mendjet tona, nëse e duam jetën dhe dëshirojmë të arrijmë sukseset tona gjatë kohës sa jemi gjallë.

Çdo sukses në jetë, në radhë të parë, mbështetet dhe arrihet falë shëndetit të mirë – në harmoni me shëndetin psikik, emocional, motivues, intelektual, human, social, moral, ekonomik dhe kombëtar. Pa to, nuk ka bazament të qëndrueshëm ku të ndërtohen sukseset.

Suksesi, sipas Shelbahut, duhet të ndërtohet më parë nga brenda nesh, jo nga jashtë. Mjetet e jashtme të suksesit, sipas tij, vijnë në vend të dytë. Sukseset e mirëfillta lindin më parë nga idetë tona të shëndetshme, sepse çdo gjë që njeriu ka bërë dhe bën me dorën e vet, më parë ka lindur si ide, plan dhe projekt, e më pas është realizuar praktikisht.

Nëse i hedhim një vështrim shtëpisë dhe kopshtit tonë – si nga jashtë ashtu edhe nga brenda – vetë shtëpia dhe gjithçka që ndodhet brenda e jashtë saj, si dhe sendet në kopsht, më parë kanë lindur si ide, plan dhe projekt, dhe vetëm më pas janë realizuar në praktikë.

Po në të njëjtën mënyrë ndodh edhe me çdo gjë tjetër që është krijuar nga njeriu – përfshirë edhe sukseset tona – të cilat më parë lindin si ide në mendjen tonë, si plane dhe projekte, e më vonë marrin formë reale.

Pa një ide, pa një plan dhe projekt në mendje, është e kotë të përpiqemi të ndërtojmë diçka; edhe më kotë është të përpiqemi të arrijmë suksese të ndryshme gjatë jetës.

Sa më herët që ta kuptojmë këtë ecuri të domosdoshme dhe parimore, aq më shpejt do t’i arrijmë sukseset që ia kemi vënë vetes si qëllim.

I juaji,

Mësuesi Isë

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Lini një Përgjigje