Nuk duhet të brengosemi për të kaluarën as për të ardhmen

11.07.2010

Brengosja për të kaluarën dhe për të ardhmen na merr shumë energji, duke na lënë pak forcë për t’u marrë me të tashmen, mbi të cilën ndërtohet perspektiva jonë.

Ne humbim shumë energji përmes lodhjes, stresit, vuajtjeve, nervozës, hidhërimit, pikëllimit dhe xhelozisë, duke u brengosur për të kaluarën e vdekur dhe për të ardhmen e palindur. Të gjitha këto brengosje na marrin shumëçka të vlefshme nga trupi ynë biologjik, fiziologjik dhe social-psikologjik, duke na lënë shumë pak forcë, vullnet, dëshirë, ambicie dhe kurajë për t’u marrë seriozisht me të tashmen, e cila është çelësi i sukseseve tona.

Do të ishte shumë e leverdishme për ne t’i eliminojmë, sa të mundemi, brengat për të kaluarën dhe për të ardhmen, e të merremi ekskluzivisht me të sotmen, duke i kryer pa nxitim detyrat dhe obligimet që kemi para vetes.

Për ta justifikuar këtë që thashë më lart, po i citoj këto vargje të Omar Khajamit:

“Ditën e shkuar fare harro
Dhe për të nesërmen mos u shkallmo;
Gëzo një çast të lumtur, faqe-bardhë,
Dhe jetën në erë mos e çkatërro.”

Kur i them këto mendime në këtë shkrim, lexuesi im i dashur, nuk dua të them se s’duhet të përpiqemi për t’u përgatitur për të nesërmen apo të mos mësojmë nga e djeshmja. Por mendoj se mënyra më e mirë për ta bërë këtë është që fuqitë dhe aftësitë tona t’i përdorim për realizimin sa më të suksesshëm të detyrave dhe obligimeve që dalin nga e sotmja apo e tashmja.

Obligimet e sotme mbesin të pakryera nëse brengosemi për të djeshmen dhe për të nesërmen.
Shumë e vështirësojmë jetën e sotme duke u brengosur për të djeshmen dhe për të nesërmen.
Rrallëherë i përdorim racionalisht 24 orët që i kemi në dispozicion falas. Më shumë përfitojmë nga jeta duke menduar për të sotmen sesa për të djeshmen dhe për të nesërmen.

Punën e sotme nuk duhet ta lëmë për nesër – thotë populli – as për javën, as për muajin e ardhshëm.
Nëse u qasemi punëve të sotme me përkushtim, nuk kemi kohë të brengosemi për të djeshmen dhe për të nesërmen.

Ata që nuk e kuptojnë se e kaluara është një kohë e vdekur që nuk kthehet më, merren me të; po ashtu, merren edhe me të ardhmen, për të cilën nuk kanë ide të qarta se si do të vijë dhe në çfarë pozicioni do të na zërë, duke harruar të tashmen, e cila është vendimtare për ne.

Kur këto raporte kuptohen siç duhet, nuk pajtohemi me asnjë çmim të merremi me të kaluarën dhe me të ardhmen në dëm të së tashmes dhe në dëm të shëndetit tonë.

I juaji,
Mësuesi Isë

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Lini një Përgjigje