Çka është të menduarit transcendental, është më i ultë apo më i lartë se të menduarit e zakonshëm
27. 11. 2025
Të menduarit transcendental është i nivelit më të lartë, se sa niveli i të menduarit të zakonshëm, i cili përdoret për gjëra që shkojnë përtej asaj që mund ta kapim me përvojë të drejtpërdrejtë apo me të menduarit e zakonshëm. Ky nivel i të menduarit nuk lidhet me diçka mistike, por me atë që e tejkalon përmasën e zakonshme të të kuptuarit. Në filozofi përdoret më së shumti nga filozofi Imanuel Kant. Ai këtë term e përdor për të përshkruar kushtet e brendshme që gjenden brenda njeriut që e bëjnë të mundur përvojën dhe njohjen.
Pra, të menduarit transcendental nuk është vetë përvoja, por është ajo që duhet të ekzistojë, që ne ta kemi përvojën. Mund të mendohet si bazë e padukshme që e bën të mundur perceptimin, mendimin dhe gjykimin. Për shembull, mënyra si mendja i organizon ndjesitë në hapësirë e në kohë. Këto ndjesi nuk vijnë nga bota e jashtme, sepse janë struktura të mendjes së një individi, të cilat struktura Imanuel Kant i quan transcendentale, mendime të jashtzakonshme që shkojnë më largë se sa mendimet e zakonshme.
Në përdorim më të gjerë, fjala i referohet çdo gjëje që e kapërcen zakonshmërinë, kufijtë e përvojës së zakonshme ose një nivel të zakonshëm të të kuptuarit dhe të menduarit. Po e them shkurt: transcendentalja i referohet kushteve të mundësimit, jo vetë gjërave që përjetojmë. Më pas shfaqet ndjesia e pranishmërisë së plotë. Sikur çdo gjë ka thellësi të vetën dhe ti je pjesë e saj. Pastaj vjen një lloj qartësie. Gjerat duken më të gjalla. Ngjyrat më të forta. Zhurmat më të pastra. Në atë moment, njeriu e ndjen sikur realiteti ka më shumë se shtresën e zakonshme që e sheh çdo ditë.
Kjo është ajo që quhet transcendence në përvojën filozofike e njerëzore: jo arratisje nga bota, por një mënyrë më e thellë e të qenit brenda saj. Poeti e përjeton përvojën transcendentale në artin e tij, mistiku në lutjet e tij, disa njerzë e përjetojnë në momente krize, disa në natyrë, dhe disa në qetësinë e shtëpisë.
I juaj,
Mësuesi Isë

Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!