Isa Thaçi
Sjelljet, shprehitë, shkathtësitë dhe pasionet si veçori të karakterit dhe personalitetit tonë
09.07.2025
Sjelljet, shprehitë, shkathtësitë dhe pasionet tona janë veçori të karakterit dhe personalitetit që i posedojmë.
Përsëritja e sjelljeve forcohet në shprehi; përsëritja e shprehive përforcohet në shkathtësi; ndërsa përsëritja e shkathtësive zhvillohet në pasione. Pasionet formohen nga ky zinxhir përforcimesh – që nisin nga sjelljet e zakonshme dhe zhvillohen nëpërmjet shprehive dhe shkathtësive tona – të cilat janë pasqyrim i karakterit dhe personalitetit që kemi.
Këto veçori ndahen në dy grupe: veçori pozitive dhe veçori negative. Cilatdo që i përforcojmë më shumë gjatë jetës, ato e formësojnë karakterin dhe personalitetin tonë. Përforcimi i veçorive pozitive pasqyron më shumë anën e mirë dhe konstruktive të personalitetit, ndërsa përforcimi i veçorive negative pasqyron anën e errët dhe destruktive të tij.
Sipas mënyrës se si formohen këto veçori, edhe sjelljet tona pasqyrohen në fusha të ndryshme të jetës: në raport me përdorimin e pijeve, zgjedhjen e ushqimeve, stilin e veshmbathjes, ushtrimet fizike apo mospërfshirjen në to, dhe kujdesin ndaj trupit tonë – si në aspektin fizik, biologjik, fiziologjik, anatomik, psikik, emocional, shpirtëror, intelektual, moral, human, social dhe kombëtar.
Nëse tek ne mbizotërojnë veçoritë pozitive, atëherë edhe këto veprime manifestohen në mënyrë të ekuilibruar dhe të ndërgjegjshme. Përkundrazi, nëse mbizotërojnë veçoritë negative, atëherë kemi prirje për abuzim dhe shpërdorim – qofshin ato pije, ushqime apo mënyra jetese.
E njëjta gjë vlen edhe për mënyrën se si sillemi me veshmbathjen, ushqimin apo kujdesin për shëndetin trupor e mendor. Veprojmë në mënyrë të shëndetshme ose abuzojmë, varësisht nga përbërja e karakterit tonë. Pra, sjellja jonë ndaj trupit, ushqimit dhe shëndetit është pasqyrim i drejtpërdrejtë i dominimit të veçorive tona personale.
Po ashtu, edhe ndërtimi i marrëdhënieve me të tjerët ndikohet nga këto veçori. Raportet ndërnjerëzore – qofshin pozitive apo negative – varen nga përbërja e brendshme e karakterit dhe personalitetit tonë. Cilat veçori dominojnë tek ne, ato përcaktojnë cilësinë e marrëdhënieve që krijojmë me të tjerët.
Prandaj, është e domosdoshme të zhvillojmë me kujdes dhe vëmendje të përqendruar sa më shumë veçori pozitive. Kështu, jo vetëm që sillemi më mirë ndaj vetvetes dhe të tjerëve, por gjithashtu bëhemi më produktivë dhe më të suksesshëm në organizimin e proceseve të ndryshme jetësore.
I juaji,
Mësuesi Isë

Leave a Reply
Want to join the discussion?Feel free to contribute!